Një biznesmen italian është vrarë në fshatin Salari të Tepelenës, ku ai ndodhej për gjah bashkë me persona të tjerë.
Mësohet se viktimë ka mbetur Edoardo Sarchi, trupi i të cilit është gjetur pa shenja jetë në vendin e quajtur Dilan, mes fshatrave Nivicë dhe Salari, në rrethana ende të paqarta.
Raportohet se 44 vjeçari italian, jeton prej 20 vitesh në Shqipëri dhe është administrator i një fabrike tulla në zonën e Laprakës nës Tiranë. Megjithatë nuk dihet nëse krimi lidhet me punën e tij.
Ndërkohë policia ka identifikuar autorin, me iniciale G.B dhe ky i fundit është shpallur në kërkim nga unfiformat blu. Burime bëjnë me dije se autori i dyshuar njihet si përdorues i lëndëve narkotike, dhe dyshohet se është fshehur në zonën mes Gusmarit dhe Nivicës.
“Rreth orës 00:30, në fshatin Salari, në vendin e quajtur “Dilan”, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi italian E. S., 44 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Vlorë, po ushtrojnë kontrolle në zonë dhe ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ëve.”, njofton policia.