Vrasja e dy vëllezërve në Roskovec/ Prokuroria e Fierit mbyll hetimet, dërgohen në gjyq shtatë persona

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj 7 personave të lidhur me vrasjen e dy vëllezërve në fshatin Kurjan të Roskovecit.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 10 shtator 2024, kur Gramos dhe Lavdimir Kurtaj u ekzekutuan me armë automatike para një lokali në pronësi të familjes së tyre. Autor i dyshuar i vrasjes është Altin Kuka, i cili, sipas hetimeve, hapi zjarr ndaj dy vëllezërve pas një konflikti të mëparshëm.

Veprat penale për të cilat janë dërguar në gjyq të pandehurit përfshijnë “vrasje me paramendim”, “mbajtje pa leje të armëve luftarake”, si dhe “moskallëzim krimi” dhe “ndihmë për autorin pas krimit” në varësi të rolit të secilit prej tyre në ngjarje apo pas saj.

Personat e proceduar dyshohet se kanë ndihmuar autorin e krimit për t’u larguar nga vendngjarja, ndërsa të tjerë kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes, por nuk kanë bashkëpunuar me hetimin.

Prokuroria e Fierit ka kërkuar që çështja të kalojë në gjykim të zakonshëm dhe pritet që procesi të nisë në javët e ardhshme në Gjykatën e Fierit.

Njoftimi i Prokurorisë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit A.K., Er.K. dhe Em.K për veprën penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ parashikuar nga neni 79, gërma ‘dh’ e Kodit Penal si dhe katër persona të tjerë për përkrahje të autorit të krimit e moskallëzim të krimit.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.1375 të vitit 2024, u provua se të pandehurit A.K., Er.K., Em.K., në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë kryer vrasjen e shtetasve G.K. e L.K.

Pak para se të ndodhte ngjarja, i pandehuri Er.K. ka patur një konflikt fizik me djemtë e viktimës G.K., si dhe ka qëlluar me pistoletë kundrejt tyre dhe viktimës G.K. Pas komunikimit telefonik dy të pandehurit Em.K. dhe Er.K. janë takuar dhe ky i fundit i ka treguar ngjarjen.

Armën e zjarrit, automatik luftarak i modelit 56, me të cilën i pandehuri A.K. ka qëlluar viktimat G.K. dhe L.K., i pandehuri Er.K. i ka lënë në kasollen përbri pularisë me qëllim për t’i marrë në vijim i pandehuri Em.K. Ky i fundit, pasi ka marrë armën e zjarrit, automatik luftarak, ka shkuar në vendin ku ndodheshin viktimat, ka frenuar menjëherë para lokalit të tyre, ka marrë armën dhe ka mbushur karikatorin e saj, duke nxitur të pandehurin A.K. të qëllojë me breshëri drejt tyre. I pandehuri A.K. ka shtënë ndaj viktimave G.K. dhe L.K. me armën e zjarrit automatik luftarak, të cilën ia mori nga dora të pandehurit Em.K.

Gjithashtu, për të njëjtën ngjarje, Prokuroria ka marrë të pandehur dhe ka kërkuar dërgimin e çështjes në gjyq të të pandehurve: T.Z., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit” parashikuar nga neni 302/2 i K.Penal; Y.K..akuzuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga nenet 278, prg. 3 e 4, dhe 280, të Kodit Penal; R.H. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i K.Penal; dhe E.H. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i K.Penal.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.