Partia e Lirisë ka reaguar pas emërimit të Silvi Cakës në kabinetin e Edi Ramës, në postin e zëvendës ministres së Brendshme.
Zëdhënësja e Presidentit te Partisë se Lirisë, Jasmira Memelli, përmes një reagimi në rrjetet sociale, shkruan se Silva Caka ishte larguar nga PL për të ndjekur Shkollën e Magjistraturës, që në fakt shton ajo rezultoi aplikim për në “Shkollën” e Korrupsionit, Krimit dhe Vesit.
“Nuk ndalojmë askënd të lëpijë atë që ka pështyrë, apo të pështyjë fytyrën e vet”- thuhet ndër të tjera në reagimin e Memellit.
Reagimi i plotë:
Kur dikush zgjedh të braktisë vlerat e Lirisë dhe Demokracisë për një karrige të pa vlerë në Qeverinë e krimit dhe të korrupsionit, nuk largohet nga Partia e Lirisë, por nga morali, integriteti dhe parimet.
Nuk ndalojmë askënd të lëpijë atë që ka pështyrë, apo të pështyjë fytyrën e vet.
As të nëpërkëmbë edhe gjakun e familjes të derdhur për vlerat e shenjta të Lirisë.
Këto janë zgjedhje personale, që flasin më shumë se çdo fjalë.
Ka mbi një vit që S.C ka dhënë dorëheqjen për të ndjekur gjoja Shkollën e Magjistraturës, që në fakt rezultoi aplikim për në “Shkollën” e Korrupsionit, Krimit dhe Vesit.
Partia e Lirisë është më e vendosur se kurrë në mbrojtjen dhe jetësimin e kauzave të saj madhore ekzistenciale kombëtare, për të vazhduar pa kompromis luftën parimore dhe patriotike, krah për krah me opozitarët e vërtetë dhe me të gjithë shqiptarët e ndershëm, për t’i shkurtuar ditët regjimit kriminal të Edi Ramës që ka shpopulluar vendin dhe po rrjep pa mëshirë popullin me korrupsionin skizofrenik.