Rama nuk ndalet te shkarkimi i Veliajt, paralajmëron “spastrim” të Bashkisë Tiranë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një vetëpastrim të Bashkisë së Tiranës, fill pas shkarkimit të Erion Veliajt, një ditë më parë nga Këshilli Bashkiak.

Duke marrë shembullin e Bashkive të tjera në vend ku ai urdhëroi shkarkimin e drejtorëve, Rama tha se edhe Tiranës i duhet një ‘katarsis burimor’, që siç shtoi, ky institucion e ka të nevojshme. Pas shkarkimit të Veliajt, Rama paralajmëron edhe “pastrimin” e Bashkisë nga njerëzit e tij më të besuar.

Ndërkohë ai pranoi edhe problemet që prekin jetën e përditshme të qytetarëve duke thënë se këta të fundit duan shkolla, çerdhe e transport dinjitoz.

“Kërkesa për çerdhe dhe kopshte publike rritet. Duhet patjetër që këtë proces ta udhëheqë bashkia duke përgatitur terrenin e nevojshëm për ndërtimin e kopshteve dhe shkollave të reja. Po ashtu qytetarët duan zgjidhje për transportin publik. Bashkia, në drejtimin e kryetares në detyrë dhe grupit të zgjedhur të fundmi të nëkryetarëve të rinj, ka bërë gjithçka që ka mundur, por nevoja për të legjitimuar udhëheqjen e bashkisë është çdo ditë dhe më urgjente. Mjafton të shohësh situatën dramatike me prokurimet publike që janë në nivelin më të ulët historik për të kuptuar që aty ka nevojë për motivim të njerëzve. Mjafton të shohësh rënien dramatike të nivelit të investimeve.

Kjo shtuar dhe domosdoshmërisë për një proces katarsisi burimor në kuptimin e vetëpastrimit të Bashkisë së Tiranës, siç bëmë në bashkitë e tjera, kërkon legjitimin e udhëheqjes së re që mos kemi më situata ku hapësirat publike rezultojnë të zëna nga punonjës apo drejtues të njësive vendore dhe të cilën ne do ta adresojmë në paketën e re që do kalojmë në qeveri që sjell edhe ndëshkimin e rëndë penal”, theksoi Rama.