EMRI/ Mbi pesë vjet në arrati, kapet trafikanti i drogës në Rinas

Arrestohet në Aeroportin e Rinasit një prej trafikantëve të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare. Bëhet fjalë për 52-vjeçarin Robert Myftarin, banues në Vlorë.

Ndaj tij, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në qershor të vitit 2020 caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë.

Nga hetimet e SPAK ka rezultuar si Myftari është përfshirë në bashkëpunim dhe me shtetas të tjerë, në trafikimin e sasive të konsiderueshme të Cannabis Sativës nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së, në periudhën 2016-2018.

Ai nuk është emër i panjohur për autoritetet ligjzbatuese. Gjatë vitit 2015, Robert Myftari tentoi të trafikonte 808 kilogramë lëndëve narkotike me gomone drejt Italisë.

Njoftimi i Policisë:

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në hyrje bënë kapjen dhe ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin në kërkim ndërkombetar R. M., 52 vjeç, banues në Vlorë.

Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.63, të datës 22.06.2020, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal”.

Shtetasi i lartpërmendur është hetuar në kuadër të një procedimi penal nga SPAK ku nga hetimet ka rezultuar si i përfshirë në bashkëpunim dhe me shtetas të tjerë, në trafikimin e sasive të konsiderueshme të Cannabis Sativës nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së, në periudhën 2016-2018.

Materialet do t’i kalojnë për kompetencë Prokurorise së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.