Diella, personifikimi më i mirë i kësaj qeverie: Pa logjikë, pa përgjegjësi dhe pa llogaridhënie

Nëse do të krijonim një figurë që të mishëronte më së miri frymën, logjikën dhe qasjen e kësaj qeverie, nuk do të kishim nevojë për t’u menduar gjatë, thjesht do të duhej të shihnim Diellën.

Diella është një ministre e re në kabinetin qeveritar, një ministre virtuale, e krijuar me inteligjencë artificiale. Një zë digjital, një fytyrë artificiale, por edhe një mashtrim modern, që përfaqëson në mënyrën më të mirë një pushtet që prej kohësh ka humbur lidhjen me realitetin.

Sepse në fund të fundit, çfarë është Diella?

Një robot që lexon skenarë dhe përgjigjet me fraza të gatshme. Nuk mendon, nuk kupton dhe nuk ndien. Një asistente që nuk merr asnjë vendim, nuk mban asnjë përgjegjësi, nuk i jep llogari askujt. Dhe mbi të gjitha, një krijim për të shmangur përballjen me qytetarët dhe ligjin.

A nuk janë këto edhe karakteristikat e kësaj qeverie?

Diella është zëdhënësja perfekte e një pushteti që ka vendosur të qeverisë me arrogancë. Një pushtet që do të jetë i dukshëm vetëm në Facebook dhe në video të edituara, por kurrë në shërbim të qytetarëve kur ata kanë probleme.

Por ndryshe nga ajo që na është servirur ditët e fundit, Diella nuk është një projekt inovativ, është një projekt propagandistik.

Qeveria po përpiqet të na e shesë teknologjinë si të ardhmen, por në të vërtetë, janë duke përgatitur një Shqipëri ku të gjithëve do t’ju mbyllet goja dhe asnjë nuk do të ketë mundësi të flasë.

Diella nuk është asgjë tjetër veçse një haluçinacion e një qeverie që i ka prerë lidhjet me realitetin. Në këtë kuptim, Diella është personifikimi më i mirë i kësaj qeverie.

Sepse ashtu si ajo, edhe qeveria: Nuk ka tru, s’mban përgjegjësi dhe nuk jep llogari për veprimet e saj!

Ajo është një pasqyrë e qartë e asaj që po bëhet në Shqipëri, një shtet që nuk ka ndërmend të dëgjojë as qytetarët e vet dhe as të mendojë për ata. Dhe fatkeqësisht, edhe pse kanë kaluar 12 vite nga kjo qeveri, ky është vetëm fillimi.