Pasi iu hoqi të drejtën e debatit, PS kërkon masa disiplinore për deputetët e opozitës

Partia Socialiste nuk është mjaftuar me heqjen e të drejtës së fjalës në seancën e sotme të Kuvendit për deputetët e opozitës, por ka kërkuar edhe masa disiplinore ndaj disave preh tyre.

Seanca që ishte parashikuar të zgjaste më shumë se 24 orë u mbyll për 20 minuta, pasi kreu i qeverisë, Edi Rama, nuk duroi dot protestat legjitime të opozitës.

Kalimi direkt në votim të programit qeverisës dhe kabinetit qeveritar solli edhe kaos në Kuvend, ku deputetët demokratë tentuan të godasin Ramën dhe Peleshin me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Për këto akte, tashmë socialistët i janë drejtuar Kuvendit për të marrë masa disiplinore ndaj disa prej deputetëve, që me shumë gjasë do të mungojnë në seancën e radhës plenare, që edne nuk është vendosur se kur do të mbahet.

Ndërkohë, në ato pak minuta fjalim që mbajti, kryeministri Rama tregoi edhe se kush do ta komandojë ministren “Diella”. Ai tha se do të jetë një grup talentesh nga Shqipëria dhe jo vetëm, të cilët do të mbështesin këtë “krijim” të tij.

Edhe pse Rama e cilëson si ministre, “Diella” nuk është dekretuar nga Presidenti Bajram Begaj, ndaj nuk dihet si do të funksionojë dhe se kush do të mbajë përgjegjësi penale në rast se SPAK zbulon që edhe Inteligjenca Artificiale ka devijuar nga “rruga e drejtë” e tenderave.