GJKKO ka kaluar për gjykim dosjen ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, i cili ndodhet në burg prej gati një viti.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, ish-deputeti socialist akuzohet për nxjerrjen e sekretit shtetëror, përkrahje të autorit të krimit dhe korrupsion në zgjedhje.
Sipas prokurorëve të posaçëm, gjatë kohës që ka qenë deputet, Çyrbja ka qenë një nga përdoruesit e Sky Ecc dhe ka mbajtur kontakte me njerëz të botës së krimit.
Sipas SPAK, Çyrbja ka nxjerrë sekretet shtetërore tek kriminelët, akuzohet se dekonspiroi operacionet e Policisë së Durrësit, informoi Altin Hajrin për lëvizjet e policisë pas vrasjes së Jan Prengës, e deri tek bashkëpunimi me Hajrin për t’i siguruar vota në qarkun e Durrësit, ku Çyrbja ishte edhe në listën e sigurt për deputet në zgjedhjet parlamentare 2021.
Ish-deputeti socialist u arrestua në tetor të 2024-ës në Durrës, pak ditë pasi dhe dorëheqjen nga mandati i deputetit, të cilin e mbante që nga viti 2017.