Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka caktuar Ogerta Manastirliun si kandidate për kryetare Bashkie të Tiranës.
Kjo deklaratë e tij u prit me habi nga vetë Manastriliu, e cila e shprehu me gjuhën e trupit, teksa Rama fliste nga podiumi i Asamblesë.
Ai tha se Manastirliu është figura e përshtatshme për të drejtuar Bashkinë e Tiranës.
“Vijmë te emergjenca e Tiranës. Pas shtatë muajsh Tirana nuk ka një kryetar bashkie të votuar, nuk ka asnjë kryetar të votuar dhe as kryetar bashkie të dënuar nga drejtësia lidhur me detyrën. Sot kemi një kryetar të zgjedhur tre herë nga populli i kryeqytetit, të cilit i është mohuar e drejta e gjykimit në liri.
Janë nxjerrë nga brenda nga ato tezga edhe biseda me familjarët nga telefonat nga burgu. Shkelje më e hapur, më flagrante, më brutale, në shpërdorim toltal të detyrës nga ana e atyre që duan të mbajnë në kontroll mbi materialet hetimore. Kjo është teme tjetër.
Tirana ka punë të mëdha, të panumërta përditë dhe përnatë. Nuk i heq asnjë meritë kryetares në detyrë. Ne sot duhet të marrim një vendim, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetar të ri.
Tirana nuk mund të gdhihet e ngryset si një trup pa kokë. Të dashurit e mi, unë kam shumë besim, që për shumë arsye, të cilat mendoj se nuk kanë nevojë t’i parashtroj një për një, sepse të gjithë e njohin dhe e cmojnë. Ogerata Manstirliu është njeriu që i duhet Tiranës.
E di që nuk do ma falësh kollaj në një kohë më të gjatë mbase kësaj here këtë bombë të palajmëruar, por Shqipëria ka nevojë për Tiranën si treni për lokomotivën. Prandaj PS nuk ka më as çfarë pret për ta vënë lokomotivën në lëvizje me ritmin e saj më të lartë, duke ngritur në kabinën e drejtimit makinistin e duhur.
Duhet të më besosh ti e të gjithë. Nuk kemi pse kërkojmë një person më të përshtatshëm. Është radha jote ta udhëheqësh Tiranë me ambicien, qetësinë që të karakterizon në të gjitha detyrat sfiduese. Ndërsa detyra jonë është të të mbështesim duke u bënë në rresht pas teje”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.