Tiranë, gardisti nxjerr armën e shërbimit dhe kërcënon me jetë qytetarin

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Policia thotë se një gardist ka kërcënuar me armë zjarri një qytetar pas një konflikti verbal.

Pas një debati të ashpër mes gardistit dhe qytetarit, efektivi i Gardës së Republikës ka nxjerrë armën e shërbimit, duke e drejtuar në drejtim të qytetarit.

Fatmirësisht, falë ndërhyrjes së menjëhershme të efektivëve të Komisariatit të Policisë, ngjarja nuk ka përshkallëzuar dhe janë shmangur pasojat.

Menjëherë pas incidentit, rasti është referuar pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Grupi hetimor ka sekuestruar pamjet filmike nga kamerat e sigurisë në zonë, të cilat pritet të ndihmojnë në verifikimin e dinamikës së plotë të sherrit dhe veprimeve të efektivit.

Identiteti i të përfshirëve nuk është bërë ende publik, ndërsa AMP pritet të dalë me një njoftim zyrtar në vijim.