Altin Dumani takon kryeprokurorin Special të Malit të Zi, në fokus të bisedës bashkëpunimi për luftën ndaj trafikut të drogës

Kreu i SPAK, Altin Dumani u takua sot në Podgoricë me Kryeprokurorin Special të Malit të Zi, Vladimir Novović. Lajmi u bë i ditur nga Prokuroria e Posaçme përmes një postimi në rrjete sociale.

Në fokus të bisedimeve mes Dumani dhe Novović ishte tema e bashkëpunimit mes dy vendeve veçanërisht për kapjen e personave që merren me trafik droge.

“Drejtuesi i SPAK, z. Altin Dumani, u takua sot në Podgoricë me Kryeprokurorin Special të Malit të Zi, z. Vladimir Novović. Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar transnacional, me theks të veçantë në zbulimin dhe ndjekjen penale të autorëve të trafikut të lëndëve narkotike, në të dy vendet“, njofton SPAK.