“Fshesa 2”, Rama paralajmëron aksion të ri për heqjen e karrigeve të lokaleve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se do të nisë një operacion i ri, që lidhet me heqjen e karrigeve në ambientet e jashtme të lokaleve.

Me një postim në mediat sociale, Rama u është drejtuar atyre që, sipas tij, shqetësohen për “karriget” duke u kërkuar të bëjnë ‘durim”

“Atyre që shqetësohen për karriget u them bëni durim, shpejt u vjen radha së bashku me kushtet e reja për vendosje karrigesh jashtë, por si fillim mund të them se për çdo karrige në hapësirën e kufizuar publike, do të duhet të kontribuohet me një pemë në Fondin e Gjelbërt që do të krijojë qeveria e re”, shkruan Rama.

Ky propozim parashikon që çdo subjekt që kërkon të vendosë karrige në ambiente të jashtme si bare, restorante apo kafene, duhet të bëjë një kontribut konkret në Fondin e Gjelbërt, i cili pritet të krijohet nga qeveria.

Nuk janë dhënë ende detaje mbi mënyrën e funksionimit të fondit, kriteret e kontributit apo se kur do të hyjë në fuqi kjo masë.

Ky reagim i Ramës vjen pas aksionit për heqjen e tendave të lokaleve, operacion ky, i cili nuk u prit mirë nga lokalet në Shqipëri.