Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, ndodhet në një vizitë zyrtare në Uashington, SHBA.
Sipas njoftimit zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Dumani do të zhvillojë një takim të rëndësishëm në orën 16:30 me orën lokale (22:30 me orën e Shqipërisë) me Brendan P. Hanrahan, zyrtar i lartë për Çështjet Evropiane dhe Euro-Aziatike.
Takimi do të mbahet me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave, ndërsa nuk janë bërë publike temat që pritet të diskutohen mes palëve. Megjithatë, vizita e Dumanit vjen në një moment kyç për drejtësinë shqiptare dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndërkohë, mandati i Altin Dumanit në krye të SPAK përfundon në muajin dhjetor të këtij viti, çka e bën këtë vizitë edhe më domethënëse në aspektin institucional dhe diplomatik.