AKSK paralajmëron shqiptarët për platformën TXEX: Është skemë mashtruese, mos investoni

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka reaguar në lidhje me platformën TXEX,  e cila ka si synim zhvatjen e shqiptarëve. TXEX paraqitet si aplikacion investimi në kriptovaluta, por në fakt është një mashtrim përmes rrjeteve sociale dhe platformave si Telegram, Signal e WhatsApp.

AKSK apelon qytetarët që të kenë kujdes ndërsa shton kjo platformë nuk është e regjistruar dhe nuk është e licencuar në Republikën e Shqipërisë dhe si e tillë operon jashtë çdo kuadri ligjor kombëtar.

Nga vëzhgimet e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe nga denoncimet e shumta të bëra publike, konstatohet se aktiviteti i TXEX mbart tiparet e qarta të një skeme mashtruese digjitale.

AKSK paralajmëron qytetarët shqiptarë se përfshirja në këtë platformë sjell humbje financiare të parikuperueshme, rrezik të lartë për cënimin e privatësisë dhe identitetit digjital dhe mundësi për keqpërdorim të mëtejshëm të të dhënave personale nga rrjete kriminale.

Lexo edhe: https://ditar.al/alarmi-txex-zhvat-mijera-qytetare-platforma-piramidale-u-vodhi-shqiptareve-mbi-5-milione-dollare/

Njoftimi:

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në ushtrim të kompetencave të tij për garantimin e sigurisë në hapësirën digjitale dhe ndërgjegjësimin e publikut për rreziqet kibernetike, informon qytetarët mbi identifikimin e një rasti mashtrimi online përmes një platforme të vetëquajtur TXEX.

Kjo platformë, e prezantuar si aplikacion për investime në kriptovaluta, nuk është e regjistruar dhe nuk është e licencuar në Republikën e Shqipërisë dhe si e tillë operon jashtë çdo kuadri ligjor kombëtar. Nga vëzhgimet e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe nga denoncimet e shumta të bëra publike, konstatohet se aktiviteti i saj mbart tiparet e qarta të një skeme mashtruese digjitale.

Mënyrat e funksionimit të mashtrimit

Platforma TXEX përdor:
* Reklama joshëse dhe të rreme në rrjete sociale (p.sh. Instagram, TikTok);
* Krijimin e grupeve të simuluara komunikimi në Telegram, ËhatsApp, Signal;
* Prezantimin e fitimeve të fabrikuara për të ndërtuar besueshmëri tek viktimat;
* Kërkimin e pagesave shtesë me arsyetimin për “verifikim” apo “tërheqje fondesh”;
* Mbledhjen e dokumenteve personale sensitive (ID, foto), duke shtuar rrezikun për keqpërdorim të të dhënave personale.

AKSK paralajmëron qytetarët shqiptarë se përfshirja në këtë platformë sjell:
* Humbje financiare të parikuperueshme;
* Rrezik të lartë për cënimin e privatësisë dhe identitetit digjital;
* Mundësi për keqpërdorim të mëtejshëm të të dhënave personale nga rrjete kriminale.

Qytetarët duhet të kenë parasysh se:
1. Asnjë subjekt i palicencuar nuk ka të drejtë të ofrojë shërbime financiare apo investimi në Shqipëri;
2. Premtimet për fitime të shpejta dhe të garantuara janë indikator klasik i mashtrimeve online;
3. Asnjë platformë e ligjshme nuk kërkon pagesa shtesë apo të dhëna personale për tërheqjen e fondeve.

Për të mbrojtur veten dhe të tjerët, AKSK u bën thirrje qytetarëve që:
* Të mos kryejnë transaksione financiare me këtë platformë;
* Të mos ndajnë të dhëna personale sensitive me subjekte të panjohura;
* Të raportojnë menjëherë rastet e dyshimta.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike thekson se siguria kibernetike është pjesë përbërëse e sigurisë kombëtare, dhe se mbrojtja nga mashtrimet digjitale kërkon kujdes të shtuar, ndërgjegjësim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim të qytetarëve me institucionet përgjegjëse.