Ardian Halili, kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Durrës përgjatë viteve 2017-2021 u arrestua pasi ndërtoi një resort pa leje buzë detit në fshatin Shetaj të Ishmit.
Halili ka rënë në prangat e policisë 8 vite pas ndërtimit të këtij resorti. Bëhet fjalë për resortin luksoz, ‘Saint Michelle Residence’, të cilën e ka ndërtuar gjatë kohës që mbante detyrën e kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë e Durrësit.
Ky resort përfshin ndërtesa banimi, ambiente me pishina, palma dhe struktura të tjera shërbimi.

Policia në njoftimin zyrtar deklaronte për disa shtëpi pushimi pa leje, por ka dyshime se i gjithë objekti është në paligjshmëri, ndaj edhe po kryhen verifikime dokumentacioni.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar arrestuan shtetasin A. H., 55 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në vitin 2017, kur ka qenë me detyrë kryeinspektor i IMT Durrës, ka ndërtuar pa leje, disa objekte (shtëpi pushimi), në fshatin Shetaj, Ishëm”, bëri me dije policia.
Vlen të përmendet se për 8 vite, autoritetet kanë “mbyllur sytë” ndaj këtij ndërtimi pa leje, ndërsa Halili ka zgjedhur ta shkelë ligjin në emër të tij.
