Kuvendi me strukturë të re/ Komisioni ‘Xhafaj’ bëhet i përhershëm, “Veprimtaria” ndahet në 3 komisione

Legjislatura e re pritet të shoqërohet me ndryshime në strukturën e Kuvendit të Shqipërisë ku do t’i shtohen disa komisione, 11 në total.

Mësohet se Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese do të ndahet në 3 komisione, konkretisht:

Komisioni për Energjinë;

Komisioni për Infrastrukturën, Mjedisin dhe Digjitalizimin;

Komisioni për Bujqësinë.

Ka qenë një grup pune i drejtuar nga Eduard Shalsi, që ka arritur në përfundimin se duhen shtuar 3 komisione parlamentare të përhershme. Ndërkohë Komisioni për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, i njohur ndryshe si Komisioni “Xhafaj” do të jetë i përhershëm.

Kujtojmë se opozita i ka bojkotuar mbledhjet e këtij komisioni, pasi e cilëson si një lëvizje të mazhorancës për të ndërhyrë në punën e SPAK, pas arrestimeve që Prokuroria e Posaçme ka bërë në radhët e socialistëve.

Edhe institucionet e drejtësisë i thanë “Jo” këtij komisioni, por për drejtuesin, Fatmir Xhafajn nuk ishte një refuzim nga ana e tyre.

Burimet për Report Tv thonë se në këtë skemë të re me 11 komisione, pritet që 7 të drejtohen nga mazhoranca dhe 4 nga opozita.

Megjithatë, ajo që nuk dihet ende dhe mbetet e pakonfirmuar është se cili nga komisionet e reja parlamentare do t’i jepet opozitës për ta drejtuar.