Pjesë e një grupi kriminal që trafikoi 356 kg drogë, GJKKO lë në burg 46 vjeçarin

Gjykata e Posaçme ka vendosur të lërë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Dorian Beun, i cili u arrestua dy ditë më parë në malin e Tomorrit teksa ishtre nisur për Peligrinazh.

Sipas policisë, Beu ishte në ndjekje që nga viti 2023, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte lëshuar ndaj tij masën “Arrest në burg” për veprat penale: “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave kriminale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Beu është pjesë e grupit të trafikut të drogës të goditur nga SPAK në dhjetor të vitit 2023, i cili akuzohej për trafikimin e 356 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, heroinë, marijuanë dhe hashash. Dorian është kushëriri i Emirjan Beut, njëri prej drejtuesve të grupit.

Veprimtaria kriminale e këtij grupi është zhvilluar për periudhën kohore nga viti 2015 dhe në vazhdim dhe është zhvilluar në Shqipëri kryesisht në Durrës, si dhe në qytete të ndryshme në Itali, si në Bergamo, në Breshia, në Milano, në Torino etj, vende ku është kryer transportimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike.