Rama gjen zgjidhjen si të shpëtojë ministrat nga burgu, do të firmosin vetëm drejtorët

Kryeministri Edi Rama, duke iu rikthyer përpjekjeve për të mbrojtur kabinetin e tij nga pasojat e korrupsionit, ka ndërmarrë një lëvizje të re, e cila mund të quhet pa dyshim një “strategji për shpëtimin” e ministrave të tij nga ndjekja e SPAK.

Ndryshimet e fundit në ligjin e administratës publike, i kalojnë drejtorëve përgjegjësinë për firmosjen e tenderave dhe kontratave, duke hequr përgjegjësinë nga ministrat.

Sipas ligjit të ri, firmat do të jenë përgjëgjësi e drejtorëve, përveç rasteve kur ka përjashtime ligjore apo kur ministri apo sekretari i përgjithshëm vendos shprehimisht me shkrese të mbajë përgjegjësinë vetë.

“Objektiv është transferimi i vendimmarrjes në nivelin menaxherial të mesëm të institucionit, shoqëruar me rritjen e përgjegjësisë dhe lehtësimin e barrës së shtuar mbi pozicionet e ministrit apo sekretarit të përgjithshëm. Qëllimi i propozimit është përmirësimi e përgjithshëm i punës së institucioneve, rritja e efiçencës, në veçanti i cilësisë së vendimmarrjes, përgjegjësisë për këtë vendimmarrje, por edhe i cilësisë së kontrollit hierarkik. Nëpunësi i ngarkuar i drejtorisë do të realizojë punën përgatitore dhe do të propozojë vendimmarrjen, drejtori përkatës do ta marrë vendimin, duke miratuar vendimin e propozuar apo marrë një vendim ndryshe”, thotë Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Ky ndryshim është një manovër e sofistikuar që i jep mundësinë atyre të shpëtojnë nga ndjekja penale për keqpërdorim të fondeve publike.

Po përse është ky ndryshim i tillë? Përgjigja është e thjeshtë: Rama po i jep ministrave një mbrojtje të padiskutueshme ligjore. Disa mund të argumentojnë se kjo është një lëvizje për të modernizuar administratën, por askush nuk mund ta mohojë se kjo është një taktikë për të shmangur përballjen me pasojat e korrupsionit që mund të lidhen me tendera dhe kontrata të dyshimta.

Në fund të fundit, drejtorët janë ata që do të firmosin, ata janë ata që do të përballen me ndëshkimin në rast se ndodhin shkelje të ligjit. Kështu shmangen edhe skandalet e mëdha të qeverisë, pasi Rama e di mirë se dënimi i një drejtori nuk ka të njëjtën vëmendje me një ministër.

Për më tepër, ky ndryshim shërben si një dritare e hapur për abuzime të reja. Një drejtor mund të jetë nën presion nga vetë ministri, mund të ketë lidhje të ngushta me biznese të caktuara dhe mund të veprojë në interes të grupeve të fuqishme që janë të lidhura me qeverinë.

Ky hap i Ramës vjen pas një periudhe të gjatë të dëshmive të korrupsionit në tendera të mëdha, ku shumë ministrat dhe zyrtarë të lartë janë kapur duke keqpërdorur pushtetin për të favorizuar kompani të caktuara.

Me këtë ndryshim, Rama po i jep atyre një mundësi që nuk e patën paraardhësit e tyre: mundësinë për të shpëtuar, duke kaluar përgjegjësinë dhe pasojat në duar të tjera.

Në fund të fundit, ky ndryshim është një tjetër provë që qeveria e Ramës është e gatshme të përdorë çdo mjet për të mbrojtur vetveten, edhe në kurriz të sistemit të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit.

Mjafton që të kuptosh se me këtë veprim, Rama ka mundësinë të mbrojë të gjithë kabinetin e tij, duke i bërë ata të paprekshëm, duke shtuar edhe më shumë pabarazi mes atyre që kanë pushtet dhe atyre që ndodhen përballë ligjit.