EMRAT/ Vritet me thikë 32 vjeçari në Divjakë pas konfliktit për kanalin vaditës, arrestohet autori

Një vrasje me thikë është regjistruar mbrëmjen e djeshmë në Divjakë ndërsa policia njofton se ka arrestuar autorin.

Mësohet se 25 vjeçari Xhesion Toromani, tashmë i arrestuar, qëlloi disa herë me thikë 32 vjeçarin Besmir Kumria, duke e lënë atë pajetë.

Ngjarja ndodhi në orët e vona të natës së djeshme, kur autori hyri në lokal me thikë në dorë dhe e goditi viktimën para personave të tjerë.

Sipas hetimeve paraprake, konflikti mes autorit dhe viktimës lidhet me mosmarrëveshje të mëparshme familjare për një kanal vaditës në fshat.

Viktima punonte në Himarë dhe kishte ardhur në vendlindje për të përcjellë bashkëshorten e tij, e cila ishte nisur për në Gjermani ku kishte gjetur punë si infermiere.

“Goditi me thikë një shtetas, i cili për pasojë humbi jetën; pas veprimeve të shpejta dhe profesionale të Policisë u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar.

Pas vrasjes, autori u largua, por u kap pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet operacionale të DVP Fier.

Gjatë mesnatës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Kryekuq një shtetas i paidentifikuar kishte hyrë në një lokal dhe kishte goditur me mjet prerës shtetasin B. K., 32 vjeç (i cili ishte në shoqërinë e miqve të tij), shkuan menjëherë në adresën e dhënë.

U ngrit grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i ndjekjes së pandërprerë nga forcat operacionale të DVP Fier, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në Polici i autorit të dyshuar, shtetasit Xh. T., 25 vjeç, banues në Kryekuq, i cili do të arrestohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi Xh. T. e ka vrarë shtetasin B. K., pasi familjet e tyre kanë pasur konflikte të vazhdueshme për një kanal vaditës në fshat.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.”, njofton policia.