Kolegji Zgjedhor ka vendosur të pushojë çështjen e ngritur nga kandidatja e Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Andia Ulliri, e cila kishte kontestuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i dhënë mandatin e deputetit Arjan Ndojës.
Gjatë seancës gjyqësore, avokati i Arjan Ndojës kërkoi nga trupi gjykues që padia të pushohej, duke theksuar se Andia Ulliri nuk legjitimohet si palë paditëse në këtë proces.
Pas shqyrtimit të qëndrimeve të palëve dhe analizës së dokumentacionit të paraqitur, Kolegji Zgjedhor vendosi të pushojë gjykimin e çështjes.
Me këtë vendim, mandati i deputetit i mbetet Arjan Ndojës, i cili e ka fituar atë pas rezultatit të zgjedhjeve të 2025-s dhe përllogaritjes përfundimtare të mandateve nga ana e KQZ-së.
Pas seancës, avokati i Ullirit e quajti vendimin e Kolegjit Zgjedhor si ‘justifikim absurd’.