Dhoma e Apelit e Gjykatës Speciale në Hagë ka vendosur të refuzojë kërkesën e Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për lirimin e përkohshëm, duke konfirmuar vendimin e mëparshëm të Gjykatës Themelore që nuk u dha mundësinë për lirimin e përkohshëm të tyre.
Klan Kosova raporton se kërkesa për lirimin e përkohshëm pas përfundimit të rastit të Prokurorisë Speciale ishte refuzuar më 13 maj 2025 nga Gjykata Themelore, ndërsa Veseli, Selimi dhe Krasniqi apeluan këtë vendim. Ata gjithashtu kanë hequr dorë nga e drejta për rishikim të paraburgimit çdo dy muaj deri në një vendim të ri.
Ndërkohë, ish-presidenti Hashim Thaçi nuk kishte dorëzuar një kërkesë për lirimin e përkohshëm, pasi ndaj tij po zhvillohet edhe një proces tjetër gjyqësor për tentim-pengim të drejtësisë.
Ky vendim vjen në një kohë kur proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdojnë në Hagë prej vitesh.