Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me situatën e zjarreve në vend. Ashtu si një ditë më parë, kreu i qeverisë thotë se nuk është vetëm vendi ynë që po vuan nga kjo situatë, por edhe vende si Spanja e Turqia, edhe pse këto të fundit kanë një flotë për të bërë të mundur shuarjen e zjarreve.
Po ashtu Rama ka sulmuar edhe kritikët për faktin se edhe këtë vit Shqipëria dështoi në menaxhimin e zjarreve duke shkruar “lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike”.
“Mirëmëngjes dhe me një tjetër ditë gatishmërie të lartë e përpjekjesh të përbashkëta, përballë një situate të përmirësuar falë mundimesh e sakrificash të admirueshme por me rreziqe e të papritura në çdo çast; me neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi, ju uroj një ditë sa më të qetë të gjithëve”, ka shkruar kryeministri.