Shqiptari i shumëkërkuar për trafik droge bie në pranga në Spanjë, do ekstradohet drejt Shqipërisë

Një shtetas shqiptar 34-vjeçar, i kërkuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, është arrestuar në Spanjë si pjesë e operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.

Juxhin Drazhi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, u lokalizua dhe u arrestua në Madrid.

Ai ishte në kërkim me urdhër të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila në prill 2025 kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale: Trafikimi i lëndëve narkotike; Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal; Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale

Aktualisht, autoritetet po punojnë për finalizimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me drejtësinë.

Njoftimi i Policisë:

Shkëmbimi në kohë i informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit vë në pranga një shtetas të kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Madridin dhe policinë spanjolle, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u krye arrestimi në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar J. D., 34 vjeç.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, në prill 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madrid/Spanjë, vijon bashkëpunimin për finalizimin e ekstradimit të këtij shtetasi drejt vendit tonë.