BKH ushtron kontrolle në zyrat e “Soft & Solution”, kompania përfituese e tenderave miliona euro nga AKSHI

Oficerë të BKH-së kanë ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë “Soft & Solution”, në pronësi të Ermal Beqirit një ditë më parë. Nuk dihet nëse këto kontrolle lidhen me tenderat e përfituar nga kjo kompani apo janë pjesë e një hetimi më të gjerë të nisur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Prokuroria e Posaçme është pyetur nga mediat, por në një përgjigje tha nuk ka asnjë informacion për të ndarë mbi këtë çështje.

“Soft & Solution” mbetet një ndër përfitueset më të mëdha të kontratave publike në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Emri i Beqirit u bë i njohur kur ai, si inxhinier elektronik dhe Drejtor i Teknologjisë në Universitetin e Tiranës, u angazhua si ekspert në një proces korrupsioni në Gjykatën e Lartë ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta.

Ai dhe kolegët e tij ishin përgjegjës për analizimin dhe ekspertizimin e videos “Meta-Prifti”, në të cilën bisedohej për ndarje parash. Ekspertiza e Beqirit konkludoi se video ishte përpunuar, duke çuar në shpalljen e pafajshme të Ilir Metës nga gjykata.