Procesit të ndërtimit të portit të ri tragtar të Durrësit në Porto Romano vijon t’i hapet rrugë.
Qeveria shqiptare ka vendosur të paguajë 815 milionë lekë ose 8.2 milionë euro për të shpronësuar pronarët privatë, të cilëve u merret toka nga ndërtimi i portit të ri në Porto Romano.
Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit, fondin e shpronësimit dhe procedurat përkatëse.
Në VKM parashikohet se shpronësimi ndaj pronarëve që u cenohet prona fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda tre muajsj, nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Përmbajtja e VKM-së:
1.Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Për zbatimin e projektit të portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto Romano”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Portual Durrës.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “pyll”, “arë”, “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 815 696 300.40 (tetëqind e pesëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e treqind pikë dyzet) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 815 696 300.40 (tetëqind e pesëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e treqind pikë dyzet) lekësh, përballohet nga Autoriteti Portual Durrës.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 90 000 (nëntëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoriteti Portual Durrës.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Autoritetit Portual Durrës.
8. Në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidim për çdo pasuri, objekt shpronësimi, që miratohen me anë të këtij vendimi, do të kërkohet dokumentacion pronësie i rifreskuar për secilin pronar, të konfirmuar nga institucioni kompetent, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me qëllim verifikimin e kufizimeve përkatëse që mbartin kartelat e pasurive, në bazë të të cilave do të vlerësohet dhe do të bëhet procedura e ekzekutimit të këtij vendimi, si dhe në rast se prona është në proces gjyqësor, masa e shpërblimit ose e kompensimit do t’i vendoset në dispozicion personit që rezulton nga vendimi i formës së prerë të gjykatës.
9. Autoriteti Portual Durrës kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
10. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Portual Durrës.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës-Kavajë-Krujë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Autoritetit Portual Durrës për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë, në favor të Autoritetit Portual Durrës për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
13. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Portual Durrës, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës-Kavajë-Krujë, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.