EMRI/ Qëlloi me automatik ndaj makinës së 33 vjeçarit pas sherrit në lokal, arrestohet autori i plagosjes në Borsh

Policia ka arrestuar autorin e plagosjes që ndodhi në orët e para të kësaj të enjteje në Borsh ndërsa është shpallur në kërkim edhe një shtetas tjetër, i përfshirë në konflikt.

Në pranga përfundoi 42 vjeçari Hekuran Çelaj, i cili u përfshi në një sherr në një lokal në Borsh me 55 vjeçarin E.V, i shpallur në kërkim nga uniformat blu për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje.

Pas sherrit për motive të dobëta, Celaj është larguar nga lokali dhe është rikthyer me një automatik dhe ka qëlluar në drejtim të mjetit që drejtohej nga E.Sh duke e lënë të plagosur. Ky i fundit ndodhet aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën.

“Vijojnë veprimet hetimore për ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin Borsh, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas.

Arrestohet autori i dyshuar, shpallet në kërkim edhe një tjetër shtetas i përfshirë në konflikt.

Më datë 31.07.2025, rreth orës 02:20, në një lokal në fshatin Borsh, Himarë, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, dyshohet se është përfshirë në një konflikt fizik, për motive të dobëta, gjatë të cilit është goditur me grushte nga shtetasi E. V., 55 vjeç, banues në Tiranë. Pas këtij momenti, shtetasi H. Ç. është larguar nga ambientet e lokalit dhe është rikthyer me një armë zjarri automatik, me të cilën ka qëlluar në drejtim të automjetit tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin E. Sh., 33 vjeç, duke e plagosur në shpatull dhe në këmbë. Ky shtetas ndodhet aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, dyshohet se shtetasi H. Ç. ka goditur me qytën e armës edhe shtetasin A. D., 43 vjeç.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. Ç., për veprat penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Gjithashtu, është shpallur në kërkim dhe shtetasi E. V., për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje””- njofton policia.

Në vendngjarje janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja dhe një krehër me fishekë.

Vijon puna për për gjetjen e armës së zjarrit të përdorur në këtë ngjarje si dhe identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në konflikt.