Momente paniku në ajër, avioni me rreth 300 persona goditet nga turbulencat e forta, dhjetëra pasagjerë të plagosur

Turbulenca të forta goditën një fluturim të Delta Airlines nga Salt Lake City për në Amsterdam të mërkurën, duke detyruar pilotët të bënin një ulje emergjente në Minnesota, ndërsa 25 persona në bord u dërguan në spitale.

Avioni pësoi një rënie të papritur prej 460 metrash për vetëm 85 sekonda, për shkak të turbulencave ekstreme.

Delta tha se fluturimi DL56 u ul në mënyrë të sigurt në Aeroportin Ndërkombëtar Minneapolis-Saint Paul dhe u prit nga ekipet mjekësore pas mbërritjes.

25 pasagjerë në bordin e fluturimit u dërguan në spitalet e zonës “për vlerësim dhe kujdes”, tha Delta në deklaratën e saj. Piloti i tha kontrollit të trafikut ajror para uljes se kishte 270 persona në bord.

Sistemi shëndetësor HealthPartners i tha CNN se po “vlerëson dhe trajton disa nga pasagjerët që kishin nevojë për kujdes” pas fluturimit.

Një pasagjer, Ëilliam Ëebster, i tha CNN se ai bën rreth 80 fluturime në vit, por ajo që përjetoi në bord ishte “turbulenca më e çmendur që kishte parë ndonjëherë”.

“Ndjeva forcën centrifugale. Isha ngritur nga vendi për rreth 30 sekonda me turbulencën”, tha ai. “Njerëzit bërtisnin ndërsa telefonat dhe sendet e tjera hidheshin në ajër”, tha Ëebster.

Një çift në fluturim i thanë ABC News se shërbimi i darkës sapo kishte filluar kur avoni u godit nga turbulencat.

“Nëse nuk e kishe vendosur rripin e sigurimit, të gjithë ata që nuk e kishin, godisnin tavanin dhe pastaj binin në tokë, dhe karrocat gjithashtu godisnin tavanin dhe binin në tokë “, tha Leeann Clement-Nash për ABC News.