Kodi i ri penal, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, ka ngjallur debate të forta në radhët e juristëve, gazetarëve dhe shoqërisë civile, pasi përmban mbi 2300 herë fjalën burg ose burgim.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe ekipi i tij që hartuan këtë Kod po përpiqen të na bindin se kodi i ri penal është “hapi përpara” i sistemit tonë të drejtësisë, por në fakt është e kundërta.
Ky kod i ri është një rikthim në mentalitetin e vjetër, atë të diktaturës, ku dënimet me burg ishin mjete shtypëse për çdo shkelje, madje edhe për ato të lehta.
Në draftin e kodit të ri të Ministrisë së Drejtësisë, përshkallëzimi i dënimeve është i paprecedentë: burg deri në pesë vjet për publikim të informacioneve hetimore, deri në tre vjet për komentet në media që “ndikojnë” në vendimet e gjykatës, dhe burg për shkelje të cilat deri dje trajtoheshin administrativisht.
Kundër këtij drafti ka dalë edhe Kryeprokurori Olsian Çela, i cili thotë se ky Kod rrezikon të minojë funksionimin e drejtësisë, ndërsa rrit edhe potencialin e kriminalizimit të individit, për shkak të dënimeve që janë shtuar në draftin e ri.
Lexo edhe: Kryeprokurori Çela del kundër ndryshimeve në Kodin Penal
“Nisur edhe nga produkti i sjellë për diskutim, unë vlerësoj se ai do të sillte shumë konfuzion tek magjistratët në aplikimin e normave dhe krijon premisat për interpretime tërësisht të ndryshme të tyre në raste të ngjashme. Për më tepër, teknika e përdorur për ndërtimin e dispozitave, e bën të pamundur përmirësimin e tyre përmes procesit të konsultimit publik.
Tendenca për të paravendosur në dispozita çdo interpretim të mundshëm të normës ligjore përkeqëson cilësinë e zbatimit të saj dhe bllokon zgjidhjen e problemeve të shumta të pamundura të parashikohen të cilat shfaqen për zgjidhje tek ata që zbatojnë ligjin. Gjithashtu, fryma e përgjithshme në draft për të zgjeruar rrethin e veprimeve që kategorizohen si të rrezikshme në një masë të tillë sa të klasifikohen si vepra penale e të dënohen me burgim, tregon një tendencë represive që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri e që sjell pasoja të rëndësishme në jetën e qytetarëve”, u shpreh Çela në një intervistë.
Por cilët janë disa nga nenet që rrezikojnë demokracinë në Shqipëri dhe risjellin dënimet e komunizmit:
Neni 536 për “Ndikimin në pavarësinë e gjykatës” parashikon gjobë ose burg deri në 3 vjet për komentet apo publikimet që sipas kodit “ndikojnë” në vendimet e gjykatës, duke krijuar “pabesueshmëri” ndaj saj në publik.
“Bërja apo publikimi i komenteve me anë të të cilave synohet haptazi të ushtrohet ndikim në aftësinë e gjykatës për të marrë vendimet, nëpërmjet krijimit të rrethanave shtypëse ndaj pavarësisë së saj, shtrembërimit të qëllimshëm të cilësisë së provave apo paraqitjes së tyre në kundërshtim me përmbajtjen e vërtetë, imponimit për të krijuar pabesueshmërinë në publik të aftësisë së gjykatës për të qenë e pavarur, të kryera për çdo interes apo përfitim, për të dëmtuar apo favorizuar persona të veçantë, e kryer përpara dhënies së një vendimi gjyqësor, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”, thuhet në nenin 536.
Por ky nen është pothuajse i njëjtë me atë në komunizëm, ku qytetarët dënoheshin për “agjitacion dhe propagandë”. Ndërkohë, që me këtë nen, gjyqtarët duan që vendimet e tyre të mos diskutohen as me fjalë, pavarësisht nëse janë vendime të drejta.
Kjo është një rrezik i madh për median dhe fjalën e lirë, pasi po censurohen edhe mendimet që kushdo mund të ketë për çështje të caktuara.
Nenet 515, 516 dhe 517, që lidhen me zbulimin e të dhënave sekrete, bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe dhënien e informacionit, parashikojnë dënime me burg nga 1 deri në 6 vjet, madje edhe për publikim të informacioneve që mund të jenë në interes publik.
Gjithashtu, neni 424 që trajton moskryerjen e kontrollit teknik të mjeteve, tani konsiderohet vepër penale dhe mund të dënohet me burg deri në dy vjet, ndërkohë që më parë trajtohej administrativisht. Kjo do të thotë se një qytetar mund të burgoset nëse harron të bëjë kolaudimin e makinës, pra, burg për të gjithë ata që nuk e kanë kujtesën e fortë.
Kjo qasje e Ministrisë së Drejtësisë është më shumë se shqetësuese, pasi rrezikon të kthejë vendin në një ambient ku liria e fjalës dhe e informimit do të kufizohen me ligj, dhe çdo kritikë ndaj institucioneve do të mund të ndëshkohet me burg.
Ulsi Manja dhe Ministria duhet të kuptojnë se drejtësia nuk bëhet me frikë dhe burg. Ajo bëhet me transparencë, llogaridhënie dhe besim të qytetarëve në institucionet e saj. Ky Kod Penal do të prodhojë frikë, heshtje dhe pasiguri, duke e kthyer drejtësinë në një mjet kontrolli dhe shtypjeje.
Në vend që të shërbejë për të mbrojtur të drejtën dhe lirinë, ky kod i ri do të shërbejë si shkop për të goditur mediat, aktivistët dhe kritikët.
Ne nuk mund të lejojmë që Shqipëria të rrëshqasë përsëri drejt errësirës së së kaluarës së komunizmit!