Aktivistja e njohur për çështjet mjedisore dhe të, Greta Thunberg, ndodhet në Tiranë ku të mërkurën mori pjesë në një protestë të organizuar në sheshin “Skënderbej” për të denoncuar krizën humanitare në Rripin e Gazës.
E shoqëruar me aktivistë shqiptarë, Thunberg kërkoi ndërhyrje të menjëhershme ndërkombëtare për të ndaluar urinë dhe shpëtuar jetën e palestinezëve.
“Gaza ka hyrë në fazën e pestë të kequshqyerjes që është e pakthyeshme, ndërkohë që mijëra kamionë presin që të hyjnë dhe kjo është pasojë direkte e heshtjes së botës që lejoi Izraelin të kryejë këtë akt gjenocidial. Ky është vazhdim i politikave të paligjshme të Izraelit që ka shkatërruar furra buke për të vijuar fushatën e urisë ndaj Gazës’, tha ajo.
Protesta filloi në orën 18:00 dhe u zhvillua nën moton “Ndaloni urinë, lejoni ushqimin dhe jetën”. Po ashtu, aktivistja Thunberg bëri thirrje në gjuhën shqipe: Liri për Palestinën!
Protesta u shoqërua me pankarta që kërkonin ndalimin e luftimeve dhe hapjen e korridoreve humanitare për ndihmat urgjente.
Në protestë ishin dhe disa qytetarë të tjerë, të cilët shpalosën pankarta me mesazhe kundër kryeministrit Edi Rama.
“Edi Rama, haram votën e shqiptarëve. Ti nuk na përfaqëson”, thuhej në pankartën e shpalosur gjatë protestës e cila u karakterizua me thirrjet “kundër luftës dhe pro-Palestinës”.
Greta Thunberg është e njohur për angazhimin e saj global në çështjet e ndryshimeve klimatike, por vitet e fundit ka zgjeruar veprimtarinë e saj edhe në fushën e të drejtave të njeriut dhe solidaritetit me viktimat e konflikteve të armatosura.