Gjykata e Apelit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të prishë vendimin e Shkallës së Parë ndaj ish-deputetit dhe ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, në çështjen që lidhet me inceneratorin e Tiranës.
Në vendimin e dhënë më 11 mars 2025, Bllako u shpall fajtor për veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, duke u dënuar me 4 vite burg, të cilat iu reduktuan në 2 vite e 8 muaj, për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Sipas organit të akuzës, Bllako dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme përmes funksionit të tij, në procesin e dhënies me koncesion të inceneratorit të Tiranës.
Megjithatë, trupa gjykuese e Apelit të Posaçëm ka vendosur të prishë vendimin dhe të urdhërojë rigjykimin e çështjes nga një tjetër trupë gjyqësore në Shkallën e Parë, duke e konsideruar të nevojshme rishqyrtimin e provave dhe argumenteve të paraqitura.
Ky është procesi i tretë penal për Alqi Bllakon, emri i të cilit doli i përfshirë në të tri dosjet e inceneratorëve.
-Për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, ai është dënuar me 2 vite e 8 muaj burg, me vendim të formës së prerë.
-Ndërkohë, çështja ndaj tij për inceneratorin e Fierit është rikthyer gjithashtu për rigjykim në Shkallë të Parë.
Proceset ndaj zyrtarëve të përfshirë në dosjet e inceneratorëve mbeten një ndër çështjet më të ndjeshme të trajtuara nga drejtësia e re antikorrupsion në Shqipëri.