100 mijë euro dëm nga një vendim politik: Rama dhe qeveria duhet të mbajnë përgjegjësi për shkarkimin e Gledis Nanos

Një vendim i marrë nga qeveria shqiptare në Gusht të vitit 2022, me nxitjen e drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama, po i kushton sot shtetit shqiptar plot 100 mijë euro.

Kjo shumë do t’i paguhet ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i cili e fitoi përfundimisht gjyqin ndaj qeverisë pas një beteje ligjore dyvjeçare.

Pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, edhe Gjykata Administrative e Apelit nuk bëri asnjë ndryshim, duke e shpallur të paligjshëm shkarkimin e Gledis Nanos. Sipas gjykatës, procedura e ndjekur nga Ministria e Brendshme dhe Këshilli i Ministrave për largimin e tij ka qenë në kundërshtim me ligjin, dhe si pasojë, shteti shqiptar detyrohet t’i paguajë atij 60 paga mujore, për pjesën e mbetur të mandatit që iu ndërpre pa të drejtë.

Si u shkarkua Gledis Nano?

Në gusht të vitit 2022, Gledis Nano u shkarkua nga detyra, pas vetëm disa muajsh në krye të Policisë së Shtetit. Vendimi u mor në mbledhjen e qeverisë, me propozim të ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, dhe në linjë të plotë me qëndrimin publik të kryeministrit Edi Rama, i cili kishte sinjalizuar pakënaqësinë me drejtimin e policisë.

Pa asnjë analizë të detajuar, Nano u përjashtua me arsyetimin se “nuk kishte përmbushur pritshmëritë”, një formulim i paqartë dhe i pambështetur në dokumente konkrete.

Pse duhet të mbajë përgjegjësi qeveria?

Pagesa e kësaj shume nuk është një dëm që e mbulon Rama dhe Çuçi me fondet e tyre private, por është një kosto që del nga buxheti i shtetit, nga taksat që qytetarët shqiptarë paguajnë çdo muaj. Shkarkimi i padrejtë i një drejtuesi të nivelit të lartë dhe më pas dështimi në gjykatë, tregojnë jo vetëm mungesë profesionalizmi, por edhe abuzim me pushtetin.

Në vend që të funksionojnë mbi bazën e ligjit dhe meritës, institucionet po trajtohen si ndërmarrje private ku drejtuesit largohen dhe zëvendësohen sipas humorit të ditës së kryeministrit.

Qytetarët shqiptarë nuk mund të paguajnë pafundësisht faturat e arrogancës dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë. Vendimi i gjykatës për Gledis Nanon është një akt dënimi moral dhe financiar ndaj një praktike të rrezikshme qeverisëse, ku emërimet dhe shkarkimet bëhen me telefon dhe jo me ligj.

Por kjo nuk është hera e parë që vendimet e ekzekutivit shqiptar kanë sjellë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit. Shqipëria ka humbur qindra milionë euro në Gjykatën e Arbitrazhit për shkak të abuzimit me pushtetin të qeverisë dhe kreut të saj.