Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas një vizite që zhvilloi në Parkun Kombëtar të Thethit, ku takoi një të ri të kthyer nga emigracioni, të cilit i ishte shembur lokali i ngritur mbi tokën e prindërve.
Shehaj denoncon ashpër atë që e quan standard të dyfishtë të shtetit shqiptar, që, sipas tij, godet të ndershmit dhe mbron të pushtetshmit.
Ai mori shembull “pikën e voçkël” të Parkut të Butrintit, ku me firmën e kryeministrit Rama u shkatërrua përfundimisht një nga peizazhet më të rralla në Shqipëri dhe asnjë nuk mbajti përgjegjësi.
Postimi i Shehajt:
Në Parkun Kombëtar të Thethit, Klodianit, një djalë i ri i kthyer nga emigracioni, që kishte një lokal të vogël mbi tokën e prindërve, ia shembën pa mëshirë. E shpallën armik të natyrës, të ligjit, të shtetit.
Ndërkohë, në Parkun e Butrintit, pika shumëmilionëshe e znj. Kumbaro , me firmën e Edi Ramës, ka shkatërruar përfundimisht një nga peizazhet më të rralla në Shqipëri. Asnjë përgjegjësi, asnjë ndëshkim.
Kur është një qytetar i thjeshtë që guxon të ndërtojë një jetë më të mirë, quhet shkatërrimtar.
Kur është një ministër që betonon pasurinë tonë kombëtare, quhet “zhvillim”.
Ky është standardi i Shqipërisë sot: nuk ka vend për njerëzit e ndershëm që duan të ja dalin me punë, por vetëm për klientët e pushtetit.