Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se kompania Coca-Cola ka rënë dakord të zëvendësojë shurupin e misrit me sheqer të vërtetë kallami në pijet që shet në Shtetet e Bashkuara.
“Në SHBA Coca-Cola do të përdorë SHEQER TË VËRTETË KALLAMI! Kam folur me drejtuesit dhe kanë pranuar. Dua të falënderoj të gjithë ata në pozita vendimmarrëse te Coca-Cola,” shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social. “Do të jetë një hap i shkëlqyer – do ta shihni. Thjesht është më e mirë!”
Megjithëse kompania nuk e konfirmoi drejtpërdrejt ndryshimin në recetë, një zëdhënës i Coca-Cola tha se “e vlerësojmë entuziazmin e Presidentit Trump” dhe se “më shumë detaje mbi risitë në gamën tonë të produkteve do të ndahen së shpejti”.
Aktualisht, Coca-Cola në SHBA ëmbëlsohet me shurup misri, ndërsa në vende si Meksika përdoret sheqer kallami, i cili preferohet nga disa konsumatorë për shijen dhe perceptimin më natyral.
Sekretari i Shëndetësisë i Trump, Robert F. Kennedy Jr., ka qenë kritik ndaj shurupit të misrit, vajrave industrialë dhe ngjyruesve artificialë, duke i lidhur me probleme serioze shëndetësore. Ai pritet të propozojë ndryshime në udhëzimet kombëtare për ushqyerjen këtë verë.
Nga ana tjetër, Shoqata e Rafinerive të Misrit në SHBA e kritikoi idenë, duke thënë se zëvendësimi i shurupit me sheqer kallami do të rrezikonte mijëra vende pune në sektorin e përpunimit të ushqimeve dhe do të ndikonte negativisht te fermerët amerikanë.
Ndërkohë, CEO i Coca-Cola, James Quincey, deklaroi më herët këtë vit se kompania po punon për të reduktuar përmbajtjen e sheqerit në produktet e saj nëpërmjet ndryshimeve të recetave dhe promovimit të alternativave më të shëndetshme.
Për ironi, Trump vetë është i njohur si konsumues i rregullt i Diet Coke, që ëmbëlsohet me aspartam, një ëmbëlsues artificial. Ai madje kishte një buton të veçantë në Zyrën Ovale për të kërkuar pijet e tij të preferuara.