Gjykata e Apelit të Posaçëm ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Ilir Metës për lehtësimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ish-kreu i shtetit do vazhdojë të qëndrojë në qeli, pas vendimit të dhënë sot nga trupa gjykuese.
Meta përmes avokatit mbrojtës kërkoi zëvendësimin e masës me një më të butë, si “arrest në shtëpi” apo “detyrim për paraqitje”, duke theksuar se masa aktuale është e padrejtë dhe me prapavijë politike.
Por, përkundër pretendimeve, Apeli i Posaçëm konfirmoi masën e sigurisë të vendosur më herët nga Gjykata e Posaçme.
Pas përfundimit të seancës, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, shprehu zhgënjim nga vendimi duke shtuar se gjyqtarët nuk u ngritën dot në lartësinë që e kërkon detyra.
“Kjo drejtësi sot i arreston qytetarët dhe nuk arrin të pëfundojë hetimet. Përpara pyetjeve që kam bërë përse duhet të qëndrojë presidenti në burg, as të dy prokurorët nuk dhanë asnjë shpjegim. Edhe të pyetur nga gjykata ishin të pafuqishëm, nuk kishin një arsye reale. Ne arsyet tona i dimë. Presidenti i Republikës po mbahet në kushtet e paraburgimit jo normale, por në kushtet e persekutimit politik. I janë mohuar të drejtat elementare, telefonatat. Gjykata këto i lejon, këta nuk janë gjyqtarë këta janë rrogëtarë, janë të varur dhe të kapur. Gjykata sot nuk u ngrit dot në lartësinë e duhur”, theksoi ai.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, janë marrë të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehjen e pasurisë.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024.