Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje, banorët e Thethit bllokojnë urën në hyrje të fshatit: Po na shembet puna e gjithë jetës

Banorë të Thethit kanë dalë në një protestë mëngjesin e kësaj të mërkure kundër aksionit të IKMT për prishjen e objekteve pa leje të nisur prej së hënës.

Raportohet se banorët kanë bllokuar urën në hyrje të fshatit, ndërkohë që prezentë janë edhe forca të shumta të policisë.

Edhe dje ata protestuan dhe kërkuan nga shteti që t’i pajis me certifikata pronësie, pasi kanë ndërtuar në tokat e të parëve duke kontribuar për zhvillimin e turizmit.

Disa prej banorëve kanë shpërthyer në lot duke e konsideruar aksionin të padrejtë dhe të papërshtatshëm për një zonë që varet nga turizmi. “Po na shembet puna e gjithë jetës”- tha njeri prej tyre.

Kujtojmë se pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama, ka nisur aksioni në vend për të liruar hapësirat publike në Theth dhe jo vetëm.

Kreu i qeverisë kritikoi ashpër edhe veprimet e prokurores së Shkodrës, që sipas tij, nuk kishte nisur çështje penale për këto objekte, që ishin ndërtuar në zemër të Thethit.