Jamarbër Malltezi i lirë, zbardhet vendimi i GJKKO: Garancia pasurore të dorëzohet brenda dy ditëve! Deri në dhënien e saj mbetet në “arrest shtëpie”

GJKKO ka zbardhur vendimin që liroi nga arresti shtëpiar, Jamarbër Malltezin, i cili akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me dosjen “Partizani”.

Malltezi me vendim të GJKKO është tashmë i lirë kundrejt garancisë pasurore në shumën 3 milionë lekë.

Këtë shumë, Malltezi duhet ta depozitojë brenda dy ditëve. Derisa të depozitohet garancia, Malltezi do të qëndrojë ende në arrest shtëpie. 

“Pas depozitimit të shumës përkatëse duhet të njoftohet menjëherë prokurori, i cili në çdo rast jo më vonë se 24 orë nga njoftimi për depozitimin e shumës së garancisë pasurore, duhet të verifikojë dokumentacionin përkatës dhe sipas rastit
të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të pandehurit ose konfirmimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”- thuhet mes të tjerash në njoftimin e gjykatës.

Njoftimi i GJKKO-së:

1. Kërkuesi Jamarbër Malltezi me datë 17.06.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “1. Revokimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” caktuar me vendimin nr. 56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; 2. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arresti në shtëpi” caktuar me vendimin nr. 56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me masën e sigurimit “Garancia pasurore” parashikuar nga neni 236 i K.Pr.Penale.”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Rudina Palloj dhe Bib Ndreca, bazuar në nenet 112, 260, 236 dhe 237 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 404, datë 07.07.2025, vendosi:

1. Rrëzimin e kërkesës për revokimin e masës së sigurimit.

2. Pranimin e kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arresti në shtëpi” të caktuar ndaj të pandehurit Jamarbër Malltezi me vendimin Nr.56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe zëvendësimin me masën e sigurimit personal “Garancia pasurore”, e parashikuar nga neni 236 i K.Pr.Penale, në shumën prej 3,000,000 lekë, për të siguruar moslargimin e shtetasit Jamarbër
Malltezi deri në përfundimin e gjykimit.

3. Garancia pasurore duhet të depozitohet brenda afatit 2 ditor, duke filluar ky afat nga shpallja e këtij vendimi. I pandehuri Jamarbër Malltezi do të qëndrojë me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi” deri në depozitimin e garancisë pasurore.
Pas depozitimit të shumës përkatëse duhet të njoftohet menjëherë prokurori, i cili në çdo rast jo më vonë se 24 orë nga njoftimi për depozitimin e shumës së garancisë pasurore, duhet të verifikojë dokumentacionin përkatës dhe sipas rastit
të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të pandehurit ose konfirmimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”.

4. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës kërkuese.

5. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e
nesërmja e komunikimit të vendimit