Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso ka dalë kundër pretendimeve të Ilir Alimehmetit duke theksuar se PD nuk synon marrjen e një mandati të 14 në Tiranë.
Këtë deklartatë Kaso e bëri në një intervistë në televizionin Euronews Albania. Sipas tij, rivlerësimin dhe rinumërimin e votave nuk është bërë për këtë arsye.
“Kërkesa nuk ka qenë nga Partia Demokratike për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave që të kishte si objektiv marrjen e një mandati tjetër. Aq më tepër nëse llogaritet diferenca është mbi 1000 vota. Nuk ka qenë kurrë qëllimi i PD-së që të iniciojë një proces që të na çoj drejt marrjes së një mandati.Ka qenë kërkesa e disa kandidatëve, që nuk janë legjitimuar dhe ka qenë përkushtimi jonë që atë që kandidatët nuk e bënin dot vetë, ne t’ua mundësonim si suport. Tani nëse në 18 mijë vota të pavlefshme që kishte Qarku i Tiranës, Belind Këlliçi apo zoti Alimehmeti shpresonin për të marrë mandatin e tyre të 14 janë në të drejtën e tyre legjitime”, theksoi Kaso.
Procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Tiranës ka nisur ditën e martë. Deri tani, nga ky proces, është konstatuar se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike rezultonin se kishin marrë vota të pamerituara.