Vetëm katër ditë pas rrëzimit tragjik të avionit të “Air India” në Ahmedabad që la pas qindra të vdekur, një tjetër incident ndodhi me të njëjtin model avion – Boeing 787-8 Dreamliner.
Fluturimi AI315 nga Hong Kongu për në Nju Delhi u detyrua të kthehej pas në aeroportin e nisjes për shkak të një problemi teknik. Avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe të gjithë pasagjerët u evakuuan sipas protokolleve, bëjnë me dije mediat e huaja.
Ky incident ndodh vetëm pak ditë pas rrëzimit tragjik të fluturimit AI171 të “Air India”, i cili u përplas mbi një ndërtesë banimi për mjekë në Ahmedabad, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 270 personave. Vetëm një pasagjer arriti të mbijetojë në atë që cilësohet si një “mrekulli”.
Boeing dhe “Air India” nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment mbi fluturimin Hong Kong-Nju Delhi.
Përplasja e javës së kaluar sjell një sfidë të re si për “Air India”, e cila prej vitesh është përpjekur të ripërtërijë flotën e saj, ashtu edhe për Boeing, e cila po përpiqet të rindërtojë besimin e publikut pas një sërë krizash sigurie dhe prodhimi.