Izraeli dhe Irani nuk kursehen, luftime të ashpra gjatë natës! Çfarë dihet deri më tani për konfliktin

Një natë luftimesh të ashpra ka kaluar midis Izraelit dhe Iranit, me të dyja palët që shkëmbyen sulme ajrore.

Irani ka nisur një valë sulmesh hakmarrëse në përgjigje të sulmeve të Izraelit ndaj objekteve të tij bërthamore dhe raketore.

Dy persona kanë vdekur në sulme, sipas shërbimeve izraelite të emergjencës ndërsa raportohet për dhjetëra të plagosur.

Sipas BBC, korrespondentët e tij raportojnë se kanë dëgjuar shpërthime në Izraelin qendror gjatë natës, ndërsa miliona njerëz kërkuan strehim ndërsa sirenat binin.

Izraeli po vazhdon sulmet ajrore ndaj Iranit, pasi një valë fillestare sulmesh vrau gjashtë shkencëtarë bërthamorë dhe komandantë të lartë iranianë.

Përfaqësuesi i Iranit në OKB thotë se numri i të vdekurve iranianë nga sulmet e fundit izraelite ishte 78, me më shumë se 320 të plagosur – ai shton se “shumica dërrmuese” janë civilë.

Ndërkohë po vijojnë thirrjet që të dyja palët të tregojnë vetëpërmbajtje.

“Mjaft me përshkallëzimin. Koha për të ndaluar” bëri thirrje Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Situata mbetet e pasigurt dhe komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër zhvillimet në Lindjen e Mesme, me shqetësimin se konflikti mund të përshkallëzohet edhe më tej.