Partia Mundësia ia doli që të fusë në Parlament dy deputetë, pasi kryetarit Agron Shehaj tashmë do t’i bashkohet edhe Erald Kapri, pas një beteje të fortë deri në votat e fundit me Partinë Demokratike.
Pas përfundimit të numërimit të votave të ardhura nga Greqia, që vulosën edhe mandatin e dytë të Mundësisë, Shehaj ka shkrepur edhe foton e fitores, së bashku me vëzhguesit që kanë qëndruar për ditë me radhë duke numëruar çdo votë në kutitë e votimit.
“E pamundura, ndodhi. Luftuam, u përballëm dhe ia dolëm. Partia Mundësia do të jetë opozita e vërtetë dhe e ndershme, një opozitë që sheh nga e ardhmja”, shkruan ndër të tjera Shehaj, që falënderon çdo votues, vëzhgues, koordinator apo pjesëmarrës në këtë rrugëtim të parë të kësaj force politike.
Postimi i plotë i Shehaj:
E pamundura,ndodhi.
Pavarësisht frikës së mbjellë natë për natë, pavarësisht një sistemi të ngritur për të mos lënë askënd të ri të ngjitet, pavarësisht propagandës, pushtetit dhe establishmentit.
Luftuam, u përballëm dhe ia dolëm.
Dy mandate. 50 mijë qytetarë që na besuan. Pa premtime boshe. Pa lojëra. Pa pazare. Pa “më jep të të jap”.
Kemi thyer një mur që dukej i pakalueshëm.
Por puna e vërtetë fillon tani.
Ne do të jemi aty, me zë, me fakte, me qëndresë. Për çdo qytetar që na dha votën. Për çdo shqiptar që pret më shumë.
Për të gjithë ata që na kanë ndjekur nga larg, që kanë shpresuar, por nuk kanë besuar plotësisht se ndryshimi ishte i mundur…
Nuk ka më kohë për të qëndruar spektatorë apo për të pritur një shpëtimtar.
Ejani! Bashkohuni me ne!
Me mbështetjen tuaj, çdo gjë është e mundur.
Partia Mundësia është opozita e shekullit 21. E ndershme. E vërtetë. Moderne. E vendosur.
Një opozitë që sheh nga e ardhmja, një e ardhme që na përfshin të gjithëve.
Faleminderit nga zemra çdo votuesi, vëzhguesi, koordinatori, kandidati, kandidati nga diaspora, ambasadorëve të Partisë Mundësia, pjesëmarrësve në takime dhe të gjithë atyre që na kanë mbështetur, haptazi apo në heshtje.
Faleminderit të gjithëve!