Ambasada austriake në Tiranë inkurajon SPAK: Ndjekja dhe gjykimi i kurrupsionit në nivele të larta është thelbësore

Austria mbështet Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) si dhe reformën në drejtësi në Shqipëri.

Ky qëndrim u konfirmua nga ambasada austriake në Tiranë me anë të njoftimit në rrjetin e saj social “Facebook”.

Ambasada austriake në Tiranë thekson se “pavarësia e SPAK-ut në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar është thelbësore për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”

Më tej, thuhet se “Pak muaj më parë u hap rruga për negociatat gjithëpërfshirëse të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Austria është qartazi e përkushtuar ndaj perspektivës së Shqipërisë në BE dhe po mbështet, ndër të tjera, zbatimin e reformës në drejtësi. Kështu, ambasadoret dhe ambasadorët austriakë të rajonit të Ballkanit Perëndimor shkëmbyen ide edhe me përfaqësues të Strukturës së Posaçme për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), gjatë konferencës së tyre në Tiranë. Pavarësia e SPAK-ut në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar është thelbësore për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.”, thuhet në reagim.