Dosja 5D/ GJKKO kalon për gjykim fraksionin e dytë, të pandehur 9 anëtarët e Komisionit të Ofertave në Bashkinë e Tiranës

Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim edhe fraksionin e dytë të dosjes “5D”, ku janë të përfshirë drejtorët e Bashkisë së Tiranës, të arrestuar një vit më parë.

Të pandehur për këtë fraskion të dosjes janë marrë 9 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, më konkretisht dy ish-drejtoreshat Deborah Keçi dhe Eglantina Zere, si dhe ish-zyrtarët Teuta Guri, Rejnaldo Gjerazi, Jetjon Mera, Rivjola Baxha, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Kristo Zhulati.

Ata akuzohen vetëm për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim. Ndërkohë gjykata më herët ka pranuar kërkesën e tyre për gjykim të shkurtuar.

Sipas SPAK, është provuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, nuk kanë ushtruar në përputhje me ligjin detyrën e tyre për vlerësimin dhe klasifikimin e ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik bashkimin e operatorëve ekonomikë “V.A.S Konstruksion” sh.p.k dhe “Rroku Guest”, të cilët kanë qenë të paracaktuar për t’u shpallur fitues nga e pandehura Eglantina Zëre, ku përfitues të tenderave ishin drejtorët e bashkisë, njëherësh pronarë faktikë të kompanisë “5D”.

Më herët, SPAK dërgoi për gjyq në seancë paraprake, fraksionin e parë të dosjes 5D, ku janë të pandehur ish drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.