ALARMI/ Në Shqipëri futet peshk me parazit nga Kroacia dhe fileto me salmonelë nga Brazili

Mbi 985 kilogram açuge e kriposur dhe me prezencë të parazitit L3 Anisakis është futur në Shqipëri nga Kroacia dhe Italia.

Kjo është ajo që ka zbuluar AKU së fundmi, ku në rast se do të hidhej në treg, do të rrezikonte shëndetin e qytetarëve, pasi ky parazit shkakton inflamacion gastrointestinal, por mund të shkaktojë edhe komplikime kur depërton në  mukozën e stomakut ose zorrëve.

Gjithashtu nga kontrollet janë gjetur edhe mbi 4516 kg fileto derri me samonelë, të importuara nga Brazili, që do të hidheshin në treg.

Në përgjigjen e kthyer nga AKU për Ora News, thuhet se açugia është bllokuar dhe do të asgjësohet në Shqipëri. Ndërsa në lidhje me 4516.75 kg fileto derri njoftohet se qëndrojnë te hapura 2 mundësi.

E para kjo sasi mishi mund të asgjësohet ose, do t’i jepet subjekteve të tjera të cilat plotësojnë kriteret për trajtimin e produktit dhe rihedhjes se tij në treg.

AKU u pyet se çfarë përfshinte përpunimi i mëtejshëm i mishit me salmonelë, por nuk ktheu asnjë përgjigje, duke hedhur dyshime se si ky produkt do t’ju ofrohet përsëri qytetarëve.