Blendi Gonxhja emëron këshilltarin e tij në krye të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit

Aulon Naçi është emëruar drejtor i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Lajmin e konfirmoi Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në Facebook.

Gonxhja bën me dije se përzgjedhja e Naçit u bë nga një Juri, përmes një procesi konkurrimi platformash, të zyrtarizuar me miratim nga Këshilli i Ministrave. Megjithatë thekson se ka qenë një propozim i tij për të emëruar Naçin në krye të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Kjo pasi vitin e fundit, Aulon Naçi ka kontribuar edhe si këshilltar pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Kujtojmë se në dhjetor të 2024-ës Naçi ishte emëruar drejtor i komanduar pas shkarkimit të drejtoreshës Abigeila Voshtina, e cila e mbajti këtë post për dy vite.

Kompozitori Naçi ka përfunduar studimet për kompozicion në Itali, si dhe ka kryer specializime në Belgjikë dhe vende të tjera të Europës. Ai është kthyer në Shqipëri pak vite më parë për të dhënë kontributin e tij si pedagog në Universitetin e Arteve.