Ka shkuar në tre numri i kryebashkiakëve socialistë, të cilët janë dorëhequr pasi do të kandidojnë për deputet në zgjedhjet e 11 Majit.
Pas Agron Malajt të Matit, Tërmet Peçit të Tepelenës, është kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, i cili ka dhënë dorëheqjen.
Deri tani janë 3 kryebashkiakë që do të jenë në listën e PS, që do të dorëzohet në KQZ, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë dorëheqje të tjera gjatë orëve në vijim.
Kujtojmë se ditën e nesërme do të mësohet edhe renditja zyrtare e kandidatëve të PS pas mbledhjes së në orën 19:00.
Ndërkohë dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS, Rama tha se mund të mos kandidonte për deputet më 11 Maj, pasi ai është deputeti i të gjithëve si dhe për të mos i zënë vendin askujt.
“Do të ishte prapë një hyrje në hak ndaj të tjerëve që të vendosej emri im dhe pastaj të vinin votat dhe të çorientoheshin njerëzit. Kështu që kush është në lista të hapura duhet të jetë në një garë shumë të barabartë. Ndërkohë që vendimin për veten time nuk e kam akoma të marrë plotësisht se mund të mos jem fare në listë, duke qenë deputet i të gjithëve për detyrën që kam dhe për të mos i zënë vendin askujt”, tha Rama.