Rama në udhëkryq për Zelenskyn: Me BE-në apo me Trump?

Takimi i tensionuar në Zyrën Ovale, ku Presidenti amerikan Donald Trump dhe zv.presidenti JD Vance sulmuan presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky para syve të gjithë botës, bëri që liderët e Bashkimit Europian të reagonin menjëherë.

Ata i dolën në mbrojtje Zelenskyt, duke e përgëzuar për qetësinë e treguar, si dhe i shprehën mbështetjen e unionit për Ukrainën që lufta të përfundojë sa më parë. Madje, Zelensky u prit në takim edhe nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, për të treguar se nuk do të jetë asnjëherë vetëm.

Por, në debatin e madh se kush ka të drejtë, Donald Trump apo Volodymyr Zelensky, mungon reagimi i atij që e ka një mendim për gjithçka. Ai që “nuk i la kusur ambasadorit rus në Këshillin e Sigurimit”, siç thotë edhe Elisa Spiropali, sot ka vendosur të heshtë, pasi e di mirë që mbështetja për Zelenskyn do të ishte një lloj sulmi ndaj Donald Trump.

Sot Rama ndodhet në udhëkryq se në krahun e cilit duhet të dalë, pavarësisht se Shqipëria nuk e diskuton mbështetjen e saj për Ukrainën dhe përfundimin e luftës, por tashmë më shumë se lufta, vëmendjen po e merr “lufta e ftohtë” Trump – Zelensky.

Kryeministri ynë duket se nuk ka guximin të mbajë një qëndrim, pavarësisht se marrëdhëniet e tij me Donald Trump duket të jenë më të mira se të disa viteve më parë, kur Rama deklaronte se Trump ishte kërcënim për Amerikën dhe marrëdhëniet SHBA – Shqipëri.

Në një kohë kur Trump duket se e ka marrë mandatin me “shpatë të madhe”, duket e vështirë t’i dalësh kundër, qoftë edhe duke bërë një reagim pro Zelenskyt dhe popullit ukrainas.

Nga njëra anë është Bashkimi Europian, ku Shqipëria synon të integrohet shumë shpejt, ndërsa nga ana tjetër janë aleatët strategjikë të SHBA-së. Në mes kryeministri Rama, që këtë herë duket ta ketë të vështirë të bëjë një zgjedhje diplomatike për ta abjtur mirë me të dyja palët.