Kreu i PD, Sali Berisha i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili foli për herë të parë për akuzat që kryedemokrati ka hedhur në drejtim të Ëngjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë.
Teksa Rama tha se Agaçi ka pasur probleme shëndetësore, Berisha nga ana tjetër shtoi se ai duhet ta faktojë këtë me dokumente dhe të tregojë spitalin ku është shtruar.
Gjatë konferencës me gazetarët, Berisha tha se ka foto që tregojnë Ëngjëll Agaçi në një kafene në Romë të Italisë ndërsa u shpreh i bindur se Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, i është sekuestruar laptopi. Për Berishën dy janë të zhdukurit në Shqipëri, ku nuk ka asnjë gjurmë prej tyre, Ëngjëll Agaçi dhe Ervis Martinaj.
“Ai ka një muaj që është zhdukur. Nuk tregojnë as spital, as klinike, përkundrazi nga Roma vijnë foto nëpër kafene. Por po të ishte e vërtetë, ai tregon spitalin, kliniken. Të pyes Edi Ramën, por kur hoqe zorrën qore çte shtyu të publikosh foton ditën e parë. Pse ti operacionin nuk e mbajte sekret, kurse tani për Agaçion sekret spitali, sekret largimi. Jo vetëm kaq, por Vilma e pushuar nga ambasada e SHBA për fshehje akti kriminal emërohet në vend të tij”, tha Berisha.