MASHTRIMI/ Dy italianët që donin të takonin Veliajn nuk janë eurodeputetë, njëri nuk fitoi në zgjedhje, tjetri deklaron se është sipërmarrës

Ditën e djeshme në media qarkulloi lajmi se dy eurodeputetë italianë kishin kërkuar të takonin Erion Veliajn në burg, por nuk ishin lejuar.

Sidomos në mediat pro qeverisë, lajmi i “eurodeputetëve” u servir me bujë të madhe, pasi ata kishin ardhur në mbështetje të kryebashkiakut që akuzohet për korrupsion e pastrim parash, në një dosje qindra faqesh të SPAK.

Por, a janë vërtetë eurodeputetë Lorenzo Grassini dhe Roberto Berardi?

Të dy kanë qenë politikanë, por asnjëri prej tyre nuk është sot eurodeputet. I pari deklaronte vetëm pak muaj më parë në emisionin “Zinë e Lirë” se nuk ishte as politikan, por siëprmarrës arti, që drejtonte një fond investimesh që shiste e blinte vepra arti. A të ketë patur lidhje me “Harabelin” e Ajola Xoxës? Këtë nuk dimë ta themi!

“Kam shumë miq shqiptarë në Itali, e frekuentoj Shqipërinë më shumë se 20 vjet, jam edhe rezident në Shqipëri. Vij shpesh, një herë në muaj dhe punoj këtu. Punoj në fushën e financave dhe drejtor një fond investimesh që operon në veprat e artit. Ne blejmë dhe shesim vepra arti. Unë jam sipërmarrës, nuk jam politikan”, shprehej Lorenzo Grassini.

Tjetri, Roberto Berardi, ka qenë senator deri në vitin 2022, por në zgjedhjet e atij viti nuk arriti të fitonte për të qenë sërish pjesë e Senatit të Republikës Italiane. Dje ai erdhi me “petkun e eurodeputetit”, ose të paktën kështu shpresuan ta shisnin mediat pro qeverisë.

Pra, asnjë prej tyre nuk është eurodeputet e madje tashmë as politikan, ndaj lajmet e publikuara dje nuk kanë qenë asgjë më shumë se pjesë e propagandës së Veliajt, që edhe nga burgu nuk di të ndalet, siç bëri pak ditë më parë me akuzat se prokurori Ols Dado e kishte quajtur “ndyrësirë”.