Nga afrimiteti me familjen Trump te arrestimi i Veliajt, a u prish vëllazëria mes Ramës dhe Alex Soros

Një video e publikuar në rrjetet sociale, ku shihet se kryeministri Rama ka fshirë çdo foto me Alex Soros nga Instagrami, ka ngjallur dyshime të forta për marrëdhënien mes të dyve.

Dikur ata e cilësonin njëri tjetrin vëlla, ndërkohë që tashmë Rama ka zhdukur çdo provë të “vëllazërisë” së tij me djalin e miliarderit George Soros.

Por, çfarë mund ta ketë sjellë ftohjen e marrëdhënieve mes tyre?

Afrimiteti me familjen e Donald Trup, armikut të betuar të George Soros, duke i dhënë ishullin e Sazanit dhëndrit të Presidentit amerikan, duket se ishte hapi i parë që ftohu marrëdhëniet mes të dyve.

Nga një kryeminstër anti-Trump, Rama u kthye në një mbështetës të republikanit, duke ndryshuar tërësisht retorikën ndaj atij që dikur e cilësoi “kërcënim për njerëzimin”, e duke e uruar përzemërisht për fitoren e zgjedhjeve në vitin 2024.

Të mbështesësh Donald Trump, do të thotë të jesh kundër George Soros, pasi të jesh mik i të dyve vështirë se ndodh. Ndaj, në përballjen Soros-Trump, Rama zgjodhi këtë të dytin, duke hedhur poshtë kështu edhe “vëllazërinë” me Alexin.

Por, Alex Soros nuk i shkëputi lidhjet me Shqipërinë, pasi në Tiranë kishte një mik tjetër ndoshta edhe më të afërt se Rama, Erion Veliajn. Madje, në disa vizita të tij të fundit në kryeqytetin shqiptar, Alex takoi vetëm Veliajn dhe jo “vëllanë e madh”, Edin.

Arrestimi i kryebashkiakut duhet të ketë qenë një goditje e rëndë edhe për Alex Soros, që ndoshta për këtë ngjarje akuzon Edi Ramën se nuk ishte në gjendje të mbrojë mikun e tij. Pak ditë pas arrestimit të Veliajt, Rama fshiu çdo foto të tij me Alex Soros.

Ndarja e Ramës me Soros, a rrezikon SPAK?

Arrestimi i Erion Veliajt duket se ishte “pika që derdhi gotën” e Ramës, që kishte heshtur për burgosjen e çdo socialisti tjetër, por nuk mundi të durojë kur në qeli i futën edhe “beniaminin e tij”.

Prej dy ditësh kryeministri ka nisur të hedhë akuza të forta në drejtim të SPAK dhe GJKKO, duke sulmuar personalisht edhe prokurorin e gjyqtarin e çështjes me anë të mesazheve nga “qytetari dixhital”.

Madje, ka shkuar deri aty sa ka kërcënuar për t’i dhënë fund “republikës së prokurorëve”, çfarë nënkupton se mund të arrijë deri në shkrirjen e organeve të Drejtësisë së re, të cilat duket se i kanë dalë nga kontrolli.

Dhe këtë mund ta bëjë shumë mirë, sidomos tashmë që marrëdhënia e tij me Soros nuk është më si më parë. Socialistët mund të përdorin pretekstin “Soros” për të sulmuar SPAK dhe GJKKO, duke thënë se janë organe të ngritura nga administrata amerikane e Joe Biden dhe filantropit George Soros, kundërshtarëve të Trump.

Nuk është aspak çudi që edhe kjo të ndodhë, pasi Rama e ka provuar se kur i preket interesi personal nuk kursen askënd, me SPAK dhe GJKKO që nuk do të ishin më shumë veçse dy “viktimat” e radhës së kryeministrit shqiptar.