Mori peng një 35-vjeçar në Tiranë, arrestohet agresori

Një 40-vjeçar është arrestuar nga policia pasi në korrik të 2024, në bashkëpunim me 7 shtetas të tjerë mori peng dhe e kërcënoi një 35-vjeçar.

Në momentin e ndalimit, 40-vjeçari i ka dhënë punonjësve të Policisë, gjeneralitete të rreme.

Njoftimi i policisë :

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin F. K., 40 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Tiranës, në vijim të hetimeve të kryera në kuadër të operacionit “The debt”, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, të kryera në bashkëpunim.

Shtetasi F. K. akuzohet se në muajin korrik të vitit 2024, në bashkëpunim me 7 shtetas të tjerë, i kanë hequr lirinë një 35-vjeçari, dhe e kanë kanosur atë për dhënie pasurie. Gjatë operacionit, në muajin korrik 2024, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 4 nga këta shtetas, dhe masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për 3 të tjerët.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.